Rreth

Qyteti i Lushnjës zotëron pasuri të shumta kulturore, historike, etnografike madje dhe arkeologjike. Lushnja renditet e dyta pas Vlorës për nga rëndësia historike. Ndër të tjera, ky qytet gëzon resurse të shumta natyrore dhe pasuri kombëtare, promovimi i të cilave shërben si një mjet i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit, fuqizimin ekonomik të qytetit, si dhe mbrojtjen e këtyre zonave. Zhvillimi i teknologjisë se informacionit ofron mënyra të ndryshme të promovimit të trashëgimisë kulturore dhe zonave turistike. Në botën e sotme, nëpërmjet teknologjisë, është zhvilluar “turizmi virtual” që është një përvojë gjithëpërfshirëse e çdo vendndodhjeje ose destinacioni në mbarë botën që promovohet dhe merr jetë përmes teknologjisë.

“Lushnja Explore” paraqet një hapësirë virtuale për qytetin e Lushnjës për të promovuar turizmin duke promovuar kulturën, traditën dhe burimet natyrore të këtij qyteti. Platforma online është e pajisur me produkte audio-vizuale që pasqyrojnë monumentet/objektet/zonat turistike, të shoqëruara me informacion të plotë (të shkruar dhe audio) për vizitorët, duke mundësuar një “muze dhe udhërrëfyes virtual” që demonstron historinë, kulturën, traditën ose promovon turizmin.

Platforma është ndërtuar nga Qendra ALTRI në partneritet me Qendrën Be the Change në kuadër të projektit “Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 – ReLOaD2,” i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). OShC-të veprojnë si partnerë të qeverive vendore dhe i mbështesin ato në adresimin e nevojave të komuniteteve lokale.